Edhe Tirana kursen paratë, udhëton 8 orë me autobus për në Europë!

Detyra është e vështirë, edhe pse jo e pamundur. Tek Tirana e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë të enjten në fushën e Zrinjskit në ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës, pas humbjes 0-1 në Shqipëri, dhe duan që të jenë sa më shumë të përgatitur. Kampionët e Shqipërisë janë nisur që sot drejt Bosnjë-Hercegovinës, menjëherë pas stërvitjes së fundit të zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili”. Një problem ëshët udhëtimi me autobus e që zgjat gjithsej 8 orë, ndoshta për të ulur shpenzimet, ndërsa kjo do t’u japë mundësi bardhebluve që të realizojnë dy seanca stërvitore në qytetin ku do të luajnë, në Mostar. Tirana ka një detyrë jo të lehtë përballë Zrinjskit vendas, pasi duhet të përmbysë shifrat 0-1 ndërsa luan jashtë fushe, por rrugë tjetër nuk ka.

Trajneri Orges Shehi nuk ka sqaruar për formacionin me të cilin do të luajë, ndonëse pritet të ketë ndryshime. Shehi është I bindur se gjendja fizike do të jetë e mirë, por nxitja kryesore duhet të jetë në aspektin psikologjik pas tri humbjeve radhazi në Europë. Tirana u mund dy herë nga Dudelanzhi I Luksemburgut në Champions, prej nga kaloi në Ligën e Konferencës. Përfitimet financiare do të jetë të rëndësishme gjithsesi, rreth 1 miliardë lekë të vjetër, por dëshira e klubit ishte që të kalohej të paktën një tur.

Sfidanti.al