Edhe rekordi i Realit “ul kokën” përpara këtij Bajerni

Kishte tre vjet që kishte realizuar diçka të pandodhur më parë. Madridi i udhëhequr nga Kristiano Ronaldos dhe Zinedin Zidanit kishte arritur 73 ndeshje radhazi me të paktën një gol të shënuar (“Deili Meili” thotë 74), dhe kjo që nga gjysmëfinalja e Championsit në 2016 deri në javën e 4-ët të La Ligës në 2017-2018. Flasim për një rekord për të gjitha llojet e konkurrimeve. Tashmë këtë rekord e mban një tjetër skuadër e madhe, Bajerni i Mynihut.

Bavarezët e trajnerit Nagelsman vazhduan ecurinë e ekipit të Hansi Flikut, sepse kanë shënuar radhazi në Superkupën e Gjermanisë dhe në dy ndeshje të Bundesligës e tani kanë 75 ndeshje radhazi duke realizuar. Fliku ka pjesën më të madhe të rekordit me 72 sfida. Serg Gnabri ishte heroi këtë herë me dy gola ndaj Këlnit, në suksesin 3-2 në “Alianc Arena”. Robert Levandovski nuk është se mbeti “thatë” sepse e shënoi golin e tij, por bavarezët e patën të vështirë përballë ekipit të motivuar dhe luftarak të trajnerit Shtefen Baumgart. “Ne patëm fajin që treguam më shumë respekt sesa duhet për Bajernin”, – tha Baumgarti, trajner i Klaus Gjasulës kur ishte tek Paderborni. Kjo ishte fitorja e parë e kampionëve në Bundesligë pas barazimit 1-1 në fushën e Glabahut.

Sfidanti.al