Dyzimi i Tuhelit me Brojën: Nuk besoj se largohet, por ikën nëse nuk ka minuta!

Një kthesë e fortë dhe e papritur për të ardhmen e tij. Armando Broja me shumë gjasë nuk do të largohet nga Çelsi, të paktën siç e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë trajneri i tij, Tomas Tuhel. Pavarësisht interesimit të madh të Uest Hemit, por edhe të klubeve të tjerë në Angli apo Itali, tekniku gjerman thuajse vendos “veton”. “Nuk pres që ai të largohet, – tha gjermani në konferencën e fundit për shtyp, – unë e di shumë mirë që për të ka interesim të madh dhe se janë bërë oferta. Ne do të marrim një vendim së bashku, pronari, unë dhe lojtari. Kur ai u bashkua me ne, u pa qartë se dëshironte të bënte përshtypje të madhe dhe të ishte një lojtar i Çelsit. Pas huazimit tek Sauthemptoni, është e qartë se ai dëshiron të bëjë më lart. Për fat të keq, ai u dëmtua, por le të shohim si do të shkojë. Armando ka një kontratë me ne”. Broja u kthye në Angli, por duket jo për të biseduar me Uest Hemin, por për t’u riaftësuar dhe pritet që shpejt të jetë gati.

Në moshën 20-vjeçare ai ka provuar shumë në karrierë, edhe pse është shumë i ri. Shqiptari i lindur pikërisht në Angli, është formuar në Akademinë e Çelsi dhe 2 vjet e gjysmë më parë bëri debutimin me ekipin e parë të Bluve në Premier Ligë, në fitoren 4-0 ndaj Evertonit, i aktivizuar nga trajneri i atëhershëm. Tomas Tuhel. Edhe verën e kaluar ai u bë pjesë e ekipit, i thirrur nga Tuheli, por pasi zhvilloi një pjesë të fazës përgatitore u huazua sërish, këtë herë tek Sauthemptoni gjithashtu në Premier Ligë. Pas suksesit të madh në huazimin e parë në Holandë, Broja u përsërit duke shënuar 9 gola gjithsej për “Shenjtorët”, 6 prej të cilëve në kampionat. Tashmë, pritet se cili do të jetë fati i sulmuesit kuqezi, pasi trajneri i tij e la gjithsesi derën gjysmë të hapur për t’u larguar nëse nuk do të ketë minutazhin e duhur. Jo më kot, Uest Hemi jep mbi 40 milionë euro për kartonin e tij.

Sfidanti.al