Dyshimet për Rejën, mund ta bëjnë drejtor teknik dhe “kumbar” të trajnerit të kombëtares!

Zyrtarisht asgjë nuk ndryshon dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Edi Reja është për të dytin edicion trajner i kombëtares shqiptare, veçse në Federatë kanë menduar për një plan B. Ky plan parashikon që italianit 75-vjeçar t’i ofrohet pozicioni i drejtorit teknik të ekipit përfaqësues, madje edhe i ekipeve të tjerë kombëtarë të moshave. Një gjë e tillë është diskutuar që përpara sesa Rejës t’i ofrohej rinovimi, dhe është menduar përsëri pas humbjes me Lituaninë, ku Shqipëria jo vetëm pësoi disfatë, por edhe luajti dobët.

Teknikut veteran do t’i kërkohet që të jetë ai njeriu që do të propozojë trajnerin e kombëtares, dhe po ashtu do të mbikqyrë e do të japë vlerësimet për talentet shqiptarë nëpër Europë, apo edhe ata në Shqipëri. Presidenti i Federatës, Armand Duka, vazhdon ta mbështesë italianin dhe ta vlerësojë për cilësitë njerëzore si dhe për karrierën e rëndësishme që ka pasur në Serinë A. Gjithsesi, koha kalon dhe në institucion po diskutojnë që mund të duhet një ndryshim për të krijuar një plan afatgjatë me kombëtaren, plus që edhe të kenë një trajner më të ri dhe më energjik.

Sfidanti.al