Duka, një “mbret” vërtet, por me “mbretëri” më të vogël!

Që nga viti 2004, Armand Duka është numri 1  i futbollit shqiptar. Biznesmeni nga Shijaku, që hyri në majë të gishtave në Asamblenë e “dirigjuar” nga Myftar Çela e Sulejman Starova, dhe që (thuhet) pati mbështetjen e heshtur të kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, dalë nga dalë u ndje si zot shtëpie, dhe tani ka gjithçka sa ka marre pozën e ..pronarit.

Pyetja më e vështirë (amerikanët thonë “një milionëshe”) është ajo nëse do të dalë kush në “meidan” e ta mundë Dukën?  Ka 100 arsye që loja për fronin të jetë krejt ndryshe këtë herë…

Gjithsesi, ka një moment në “garën e pashpallur” mes presidentit dhe ish-kryeministrit Bashkim Fino, që tregon se FSHF (pra Duka) tani është bërë shumë e fortë. “Finon le ta zyrtarizojë Partia Socialiste si kandidatin e saj”, – nuk ngurroi kreu i Federatës të sfidonte partinë në pushtet, duke harruar me zell shumë asiste të saj.

Fino  mund ta quajë këtë sarkazëm, dikush arrogancë, por gjithsesi kjo është një arrogancë e një “mbreti më të vogël” ndaj një “mbreti më të madh”. Sporti shqiptar ka vuajtur shumë këto vite nga ndërhyrja e politikës në të, dhe mjafton të kujtojmë asambletë e disiplinave të tjera, që nga peshëngritja, mundja apo deri Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në këtë kuptim, “sarkazma” e Dukës ndaj PS-së është jo shumë e sinqerte kur kujton flirtin e tij me politikën në këto vite, dhe lojen dyfishe me të.

Thënë kjo, natyrisht duhet shtuar se futbolli dhe sporti në përgjithësi duhet të decentralizohet më tej, dhe të jetë “pronë” jo e presidentëve, por e tifozëve. Në Gjermaninë shumë më demokratike se ne, tifozët kanë 51 për qind të aksioneve të klubeve të tyre, dhe rrjedhimisht kanë edhe ndikim të madh në Federatë.

Sfidanti.al