Duhet edhe FAT për titullin, Liverpuli e pati ndaj Totenhemit!

Ndeshje të tilla nuk mund të fitohen nëse nuk ke fat. Liverpuli e pati të gjithin me vete në duelin e madh të Premier Ligës ndaj Totenhemit, duke fituar me golin e shënuar në minutën e parë shtesë. Ishte fat, jo vetëm sepse triumfi u arrit përsëri në fund, por edhe sepse u arrit falë një autogoli, pas një gabimi të portierit mik, Hugo Joris.

Fitorja ishte minimale, me rezultatin 2-1, por asgjë tjetër nuk kishte rëndësi për skuadrën e trajnerit Jurgen Klop, përveç suksesit. Kjo do të thotë se Liverpuli u kthye sërish në krye të kampionatit, me 79 pikë ndaj 77 të Mançester Sitit, që ka luajtur një ndeshje më pak. Vendasit kaluan të parët në avantazh në stadiumin “Anfild”, kur sulmuesi Roberto Firmino shënoi në minutën e 16-të.

Liverpuli ishte më mirë gjatë pjesës së parë, por pas pushimit gjithçka ndryshoi. Totenhemi reagoi dhe arriti të barazonte në minutën e 70-të me anë të Lukas Mourës. U duk se ky ishte fundi, dhe se skuadra e Klopit do të dorëzohej në garën për titull.

Gjithsesi, jo më kot Liverpuli është ekipi që ka shënuar më shumë gola në fund, gjë që tregon karakter dhe besim të madh. Kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim të Premier Ligës, gara për titull mbetet e hapur, ndërsa Totenhemi rrezikon shumë që të mbetet jashtë zonës Champions.

Sfidanti.al