Dortmundi largon edhe trajnerin Roze, por ku do ta gjejë një Klop?!

Njerëzit e stolit nuk është se janë zëvendësuar shumë shpesh, por gjithsesi stabilitet dhe sukses nuk ka pasur. Borusia e Dortmundit shkarkoi edhe trajnerin Marko Roze ndërsa doli pa trofe këtë sezon, dhe sërish mbetet në kërkim të një Jurgen Klopi të ri. Që kur tekniku i sotëm i Liverpulit dha dorëheqjen në 2015 kanë kaluar 7 vjet, janë provuar 4 trajnerë dhe një trajner i përkohshëm (Terziç), por sukses kanë qenë vetëm 2 kupa të Gjermanisë.

Rënia filloi që kur Klopi ishte në stol, dhe në sezonin 2013-2014, verdhezinjtë vërtet dolën nënkampionë (ashtu si tani), por plot 19 pikë prapa Bajernit, u mundën nga bavarezët në finalen e Kupës së Gjermanisë pas kohësh shtesë, ndërsa të paktën arritën çerekfinalet e Championsit, ndryshe nga tani kur u eliminuan në grup. Gjithsesi, atë sezon spikatën dy gjëra, fitorja në Superkupën gjermane ndaj Bajernit (4-2) dhe fitorja 3-0 në Mynih për Bundesligën, duke iu përgjigjur humbjes po 0-3 ndaj Bajernit në “Signal Iduna Park”. Në 2015, Klopi u largua duke e lënë ekipin në vendin e 7-të në një sezon thuajse të dështuar, ku u fitua vetëm Superkupa gjermane.

Në 2015, erdhi Tomas Tuheli që doli gjithashtu i dyti në Bundesligë, arriti finalen e Kupës dhe çerekfinalet e Ligës së Europës. Tuheli vazhdoi deri në 2018 pa fituar dot trofe, ndërsa me pasardhësin e tij, Peter Bosh u arrit vetëm vendi i katërt në kampionat. Nuk pati ndryshim të madh me Lysien Favrenë që doli nënkampion në 2019 dhe 2020, u eliminua shpejt në Champions, por fitoi Kupën në 2020. Zvicerani u shkarkua në dhjetor 2020, dhe trajner i përkohshëm ishte Terziç duke dalë i treti në Bundesligë e duke fituar Kupën, si dhe duke mbërritur në çerekfinale të Championsit. Ky edicion nisi me shpresë me Rozen, por doli si të tjerët, me vendin e dytë në kampionat.

Sfidanti.al