Dortmund sërish 3 pikë larg Bajernit, por dëmtohet Halandi!

Ishte një fitore e madhe në një fushë të vështirë, dhe që mban fort gjallë shpresat për ta fituar më në fund atë që duket e paarritshme, titullin kampion pas plot 10 viteve. Që nga koha e Jurgen Klopit, Robert Levandovskit e Mario Gëces, Dortmundi nuk e mposht dot Bajernin në garën për kurorën e Bundesligës, por ndoshta ky është viti i duhur. Suksesi 3-2 në Hofenhajm e afroi skuadrën verdhezi në vetëm 3 pikë larg bavarezëve hijerëndë. Erling Haland, Marko Rojs dhe një autogol i Raumit siguruan fitoren, edhe pse Hofenhajmi barazoi me Kramariçin dhe ngushtoi diferencën me Ruterin. Në 63’, trajneri Roze u detyrua të nxirrte nga loja Halandin që u dëmtua, dhe shpresohet që lëndimi të mos jetë i rëndë e të mos e lerë shumë kohë jashtë fushe.

“Jemi të lumtur për këtë fitore, – tha Roze, – ndonëse nuk jemi aspak të lumtur për dëmtimin e Halandit. Shpresojmë të mos jetë gjë serioze. Ne luftuam shumë për ta marrë fitoren, ishte një sukses entuziazmues për ne, duhet ta themi hapur. Hofenhami luajti një ndeshje shumë të mirë”. Roze pohoi se suksesi u arrit kur u ndryshua sistemi i lojës pas pushimit. “Ne kaluam me skemën me dy rreshta me 5 dhe 3 lojtarë, – tha ai, – kjo ngushtoi hapësirat. Ishte fitore e efektivitetit”. Dortmundi ka 43 pikë ndaj 46 të Bajernit, që luan sot në fushën e Hertës.

Sfidanti.al