Dhimbje koke për Totenhemin, Son Heung Min .. ushtar në Kore!

Totenhemi, fillimisht, u përballë me një hendikap të madh, për shkak të dëmtimit të futbollistit më të mirë të tij, Hari Kein, që thuhet se do të jetë i detyruar të mungojë deri në gjashtë javë, por, për fat të mirë, në momentin e duhur, erdhi në formë të shkëlqyer koreani Son Heung-Min, por edhe ky fat e pati jetën të shkurtër. Autoritetet përkatëse të Koresë së Jugut e njoftuan shtetasin e vet se kishte ardhur koha që ai të kryente detyrën kombëtare, shkurt, ai thirrej nën armë, pasi Soni akoma nuk e ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak që është dyvjeçar në Korenë e Jugut.

Sigurisht që ka raste, kur figura të veçanta çlirohen nga ky detyrim, por ato duhet të kenë dhënë kontribut të madh për kombin e tyre, në rastin e sportistëve të fitojnë medalje në Lojra Olimpike, kampionate botërore dhe aziatike. Soni, pavarësisht se ndodhet në një formë fantastike, megjithatë, është një sportist në një sport ekipor, ndërkohë që ekipi koreanojugor me siguri që nuk do të fitojë ndonjë medalje në Botërorin e sivjetëm të Rusisë.

Por, sidoqoftë, ekziston mundësia që përfaqësuesja koreanojugore të arrijë sukses në Lojrat Aziatike që do të zhvillohen në gusht. Totenhemi, ndërkohë, nuk po qetësohet dot dhe po dërgon njëra mbas tjetrës letra dhe lutje të veçanta në adresë të autoriteteve përkatëse të Koresë së Jugut. Sifoqoftë, po dështoi, Totenhemi do t’i duhet që të kërkojë një futbollist tjetër për sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al