Dhënie dore 400 milionë euroshe? Nuk vlen nëse Nejmar e Mbape nuk bëhen shokë!

Dihet se një pjesë e mediave apo gazetarëve “vdesin” për tituj të mëdhenj, apo siç thuhet “bombastikë”. Shpesh përfundojnë në një “shashkë” apo “tymnajë” dhe kështu mund të jetë rasti i titullit të bujshëm “një shtrëngim dore me vlerë 400 milionë eurosh”, pasi Nejmar dhe Kilian Mbape u takuan për herë të parë në stërvitjen e Paris SG. Nëse sheh foton, dallon thjesht dy njerëz që i japin dorën njëri-tjetrit, njerëz që mund të mos kenë më shumë talent sesa Alfredo Di Stefano, Pele, Maradona apo Krujfi.

Për Paris SG-në, kryesore është që Nejmar dhe Mbape të bëhen shokë, të luajnë për njëri-tjetrin dhe për skuadrën, pa menduar aspak se ata vlejnë “virtualisht” shumë më tepër sesa futbollistët e tjerë parizienë. Në fund të fundit, e gjithë vlera monetare që ata kanë sot është pasojë e dëshirës së njerëzve për të ndjekur futbollin, dhe e faktit se ata kanë lindur me talent dhe janë “përpunuar” nga trajnerë të mirë që kur ishin të vegjël. Siç thotë populli, “punë kismet”. Nëse do të dinë të jetojnë kështu, padyshim që do të bëhen idhuj të tifozëve të PSG-së, por edhe të dashur për miliona nëpër botë, ndryshe do të ketë për ta vërshëllima siç ka shpesh për Kristiano Ronaldon edhe në “Santiago Bernabeu”.

Sfidanti.al