Një fitore minimaliste ishte gjithçka mundi të arrinte Reali i Madridit në ndeshjen e La Ligës, ndaj Rajo Vajekanos. Edhe pse u luajt në “Bernabeu”, edhe pse u shënua shumë shpejt, që në minutën e 13-të, sërish suksesi thuajse i shpëtoi përmes “gishtërinjve”. Dikur, shkrimtari shqiptar, Sabri Godo, kishte një batutë në romanin e tij “Skënderbeu”, kur sulltani turk thoshte që “deveja nuk dëshiron të pijë ujë”, kur ushtarët e tij nuk ishin në gjendje të pushtonin muret e Krujës.
Edhe yjet e Realit “nuk duan që të pijnë ujë” sot, nuk duan që të sakrifikojnë në “muret” e kundërshtarëve, ndaj shpesh mjaftohen me fitore të vogla, ose pësojnë disfata të mëdha. Pasi Karim Benzemaja realizoi që në fillim, madrilenët patën mundësi ta thellonin avantazhin, por nuk arritën, ndërsa Vajekano u tregua shumë dinjitoze. Në minutën e fundit, Kurtua dhe Karvahal mezi shpëtuan golin e barazimit.
Trajneri Solari mori një lajm të keq me dëmtimin e Benzemasë, që i shtohet atij të Bejlit, ndërsa tashmë Reali do të shkojë në Abu Dabi për Kupën e Botës për klubet, ku do të ketë nevojë për të gjithë yjet, në mënyrë që të fitojë.
Sfidanti.al