Dështimi i Dinamos dhe polemikat në Kroaci për Skënderbeun dhe shqiptarët!

Mendohej krejt tjetër gjë në Kroaci. Pavarësisht nga shprehjet-stampë “futbolli ka ndryshuar”, dhe “të gjithë dinë të luajnë sot”, publiku dhe mediat prisnin sërish një fitore bindëse si dy vjet më parë. Dakord, Skënderbeu është forcuar, por në 2015, u mposht me rezultat të përgjithshëm 2-6, ndërsa shumë vite të shkuara, Dinamo e Zagrebit triumfonte ndaj Tiranës gjithsej me shifrat 10-2.

Me shqiptarët që po luanin shumë mirë dhe po kryesonin në sfidën e Ligës së Europës në “Maksimir”, komentatori i Radio Televizionit Kroat, HRT, Stjepan Balog, lëshoi shprehjen. “Kanë ikur kohët kur shqiptarët i shihnim vetëm si prodhues akulloresh dhe shitës buke!” Në pamje të parë, një vlerësim pra, që kohët kanë ndryshuar, por me një dozë të madhe nënvleftësimi.

Komentet dhe kritikat nuk munguan, siç bëri kritikja televizive kroate, Zrinka Pavliç. Ajo e quajti shovinizëm shprehjen e Balogut, dhe kërkoi që gjykime të tilla të ndëshkohen nga organet përkatëse. “Përse këta mendojnë se shprehje të tilla janë interesante dhe mund të jepen në televizionin publik? Përse komentatori flet me “ju”, në emër të gjithë kroatëve?”

Komentatori, megjithatë, reagoi dhe pranoi gabimin e tij. Ai dërgoi një kërkesë faljeje në postën elektronike të klubit shqiptar, duke treguar se kishte marrë shumë mesazhe nga shqiptarë të zemëruar.

Një tjetër lloj nënvleftësimi u duk se tregoi trajneri i Dinamos, pas ndeshjes. Ai ia vuri fajin ekipit të tij për barazimin, a thua se kundërshtari përballë nuk ekzistonte. “Më vjen keq që nuk fituam, – tha trajneri, – U pa edhe një herë se çdo kundërshtar është i rrezikshëm nëse e lejon të bëjë lojën e vet, dhe ne e lejuam këtë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë nuk i lejuam dhe ju e patë lojën tonë. Shkojmë atje për të fituar, këtë ua kam thënë edhe lojtarëve. Duam që të shkojmë në fazën e grupeve në Ligën e Europës.

Gjithsesi, përgjigjen ia dha po një kroat, mbrojtësi i Skënderbeut, Marko Radash. “Nuk është se duhet të bëjmë shumë parashikime, por thjesht të luajmë siç duhet, – ishin fjalët e futbollistit për televizionin publik kroat, – Megjithatë, mund të them se për ndeshjen e dytë, ne jemi në pozicion më të mirë sesa Dinamo për t’u kualifikuar. Edhe përsa i përket rezultatit, edhe përsa i përket lojës që zhvilluam. Për më tepër, do të jemi në fushën tonë, dhe do të kemi përkrahjen e tifozëvëe tanë. Por, le të shohim çdo të ndodhë”.

Një incident tjetër ndodhi në kthim nga Shkupi, ku siç thonë zyrtarët korçarë, policia maqedonase nuk lejoi ekipin as të drekonte, por e largoi me të shpejtë nga aeroporti.

Sfidanti.al