Gjatë Asamblesë Federale të Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Didier Deschamps konfirmoi se do të largohet nga stoli i kombëtares franceze pas Botërorit 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Trajneri kampion bote si lojtar dhe si teknik ka drejtuar “Les Bleus” që nga viti 2012, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
Deschamps u përgjigj me humor kolegut Gérald Baticle, i cili kishte aluduar se mund të shihte Deschamps të bëhej president i FFF. “Nuk kam asnjë ambicie presidenciale, nuk bën pjesë në planet e mia të ardhshme. Ndihem ende i ri dhe mendoj për të tashmen dhe të ardhmen”, theksoi trajneri.
Gjatë fjalës së tij, Deschamps theksoi gjithashtu rëndësinë e futbollit amator për bazën e sportit në Francë: “Futbolli profesional po kalon momente të vështira, sidomos ekonomikisht. Thelbi ynë mbetet futbolli amator. Futbolli francez ka nevojë për ju.” Ky vlerësim i sinqertë i dha asamblesë mundësinë për t’i dhënë një ‘standing ovation’, duke shënuar një kapitull të gjatë dhe prestigjioz në karrierën e tij, ndërsa fokusimi i tij mbetet tashmë te sfida më e rëndësishme: fitimi i Botërorit 2026.

