Thiago Silva ka hedhur dritë mbi prapaskenat e marrëdhënies mes Neymar-it dhe Kylian Mbappé-së gjatë kohës së tyre te Paris Saint-Germain. Në një intervistë për prestigjiozen franceze L’Equipe, mbrojtësi i Fluminenses ka rrëfyer se lidhja mes dy ‘yjeve’ ishte fillimisht shumë e fortë, por më pas u prish në mënyrë të pakuptueshme.
“E tyre ishte një histori shumë e bukur, por më pas marrëdhënia u përkeqësua. Ishte zhgënjyese”, është shprehur Thiago Silva. Sipas tij, Neymar dhe Mbappé ishin ndër lojtarët më të bashkuar në dhomat e zhveshjes dhe ata që e shijonin më shumë përditshmërinë në klubin parisien.
Pavarësisht gjithçkaje, Silva ka pasur vetëm fjalë pozitive për dy ‘yjet’, duke i cilësuar si “dy djem të mrekullueshëm”. Deklaratat e tij rikthejnë në vëmendje një nga temat më të diskutuara të epokës së PSG-së, ku pritshmëritë e mëdha sportive shpesh u shoqëruan me tensione brenda ekipit.
Rrëfimi i Thiago Silvës konfirmon se, përtej talentit dhe suksesit, marrëdhëniet njerëzore luajnë një rol kyç në fatin e superskuadrave.
sfidanti.al

