Del nga shpirti i Flamurtarit: sa mirë ishim… kur kishim kundër arbitrat !

Ditët kur Flamurtari kishte kundër  arbitrat, trajneri Duro kishte lëshuar frazën e njohur: “  Na duhet të bëjmë stërvitje speciale, gati terapike,   sepse kemi kundër edhe arbitrat”.  Sikur të vazhdonte kjo muzikë, sot do të kishin një alibi ngushëlluese në Vlorë. Por, ajo që ndodhi zbuloi  një gënjeshtër te sojit tonë ,  tipike në intrigën me top, ku pabesia është ..vlerë. Fill pas Asamblesë, futbollistët vlonjatë mësuan nga shefat se, tani e tutje,  vetëm fatin mund të kishin kundra, por aspak “kamikazët” arbitra.  Zotat e kishin gjetur gjuhën. S’do flitej më as për çorape e as për kotecë me pula. Të gjithë u gëzuan që shpëtuan nga një e keqe e madhe, pa e ditur se do ti kujtonin ditët e persekucionit ngaqë në atë kohë kishte një shpjegim për humbjet…

Sapo arbitrat u urdhëruan nga lart se gjuetia ndaj Flamurtarit kishte mbaruar, në Vlorë kuptuan  se e keqja më e madhe paska qënë  brënda, ndersa alibia vinte nga jashte. Aq sa disa thonin me ironi  se “ u paskemi rënë në qafë arbitrave”.  Flamurtari dhe Duro u shndërruan në një binom enigmatik, ku të gjitha mangësitë morale e teknike që shpaloseshin nëpër ndeshje, mbuloheshin me një   kapak të artë   : vetëm për para mos flisni, se ..deti nuk mbaron kurrë!  Një det “i mbytur” nga futbolli, kjo lojë që kushton aq shumë për të qënë kaq e gënjeshtërt…

Sfidanti.al