Daullet e çara të derbit…

Partizani dhe Tirana, që në “tortën” e trofeve, historisë dhe lavdisë së futbollit shqiptar kanë një pjesë të madhe, sot janë përballë një prej momenteve më të vështira të erës së re pas viteve ’90. Nëse bardheblutë mbyllin klasifikimin pa asnjë fitore në 5 ndeshjet e para, të kuqtë momentalisht gjenden në një udhëkryq të rrezikshëm ku rrezikojnë të mbeten në mes dhe të përplasen nga skuadra më të vogla, por më ambicioze në objektiva.

Java e 6-te i përballe të dyja skuadrat e kryeqytetit në një derbi që disa vite më parë me siguri do ta ndizte stadiumin me pritshmëritë e larta, por sot atyre u duhet të luftojnë për diçka më shumë… mbijetesën. Në kampin e demave ndoshta nuk janë dakord me këtë përkufizim, por klasifikimi flet qartë dhe kalendari, javë pas jave, asnjëherë nuk mund të konsiderohet i lehtë, pasi në Superiore sot nuk ka një skuadër të qartë kandidate për Kategorinë e Parë; madje shumë prej të “vegjëlve” janë kandidatë për Europën.

Por pse Tirana dhe Partizani në këtë “derexhe”? Shenjat e sëmundjes bardheblutë i kanë dhënë shumë kohë më parë, ndryshe nga kushërinjtë që sot për sot duket se kanë probleme organizimi dhe koordinimi, pasi paratë dhe emrat nuk mungojnë. Gjithsesi, situata është kjo: e sikletshme, për të mos thënë dramatike, pasi llogaritë me laps e letër do të bëhen në fund dhe, me siguri, maja e mprehtë do të dëmtojë atë që do të gabojë më pak. Prandaj, për momentin, ky është një derbi nga halli, me një hall të madh: frikën nga zona e ftohtë.

Nga Pirro Bardhyli