“Dardanët” e Ballkanit kanë dhuruar spektakël mbrëmjen e sotme në mitikun e Prishtinës, “Fadil Vokrri”, teksa kanë mundur me rezultatin e thellë 3 me 0, irlandezo-veriorët e Larne, në përballjen e parë të vlefshme për fazën e dytë kualifikuese të Conference League.
Siparin e golave e hapi “bomberi”, Albion Rrahmani, i cili përktheu në gol një 11-metërsh të akorduar në minutën e 26’-të nga arbitri ukrainas Shurman. Vetëm 6 minuta më pas, në të 32’-tën “fantazisti” i mesfushës, Almir Kryeziu finalizon një aksion perfekt të “dardanëve”, pas një asisti fantastike të Nazmi Gripshit.
Mirëpo, nuk do të mbaronte me kaq, pasi asistuesi i golit të dytë të Ballkanit, Nazmi Gripshi do të shënonte dhe golin e 3-të e të “knock-out”-it për skuadrën e Larne, teksa në minutën e e 67’-të të sfidës mposht portierin Ferguson me një goditje të bukur.
Tashmë e vetmja gjë që mjafton për të “vulosur” kualifikimin e Ballkanit janë 90 minutat e javës së ardhme, që do të zhvillohen në “Inver Park” të Larnes, por me rezultatin e mbrëmjes së sotme gjithçka duket që është “vulosur” që sot.
sfidanti.al