Servete e Genk ndahen në “paqe”, Slovan Bratislava e Kopenhagen bëjnë “detyrën”

Kanë përfunduar dhe tre sfidat e fundit të mbrëmjes së sotme, të vlefshme për përballjet e para të fazës së dytë kualifikuese të UEFA Champions League, ku nuk ka patur surpriza, por as rezultate të thella.

Në “Stade de Geneve”, të Gjenevës, nënkampionët zviceranë të Servette pritën në “shtëpinë” e tyre skuadrën nënkampione të Belgjikës, Genk në përballjen e parë të këtyre kualifikueseve, ku mund të thuhet se luajtën goxha mirë. Pavarësisht barazimit 1 me 1, vendasit e Servette dominuan pothuajse gjithë lojën, por pa mundur dot të gjenin avantazhin, madje u gjendën në disavantazh në minutën e 21’-të të lojës, kur Emmanuel Arokodare gjeti rrugën e rrjetës për belgët. Ndërkaq, për golin e vendasve mendoi qendërmbrojtësi Steve Rouiller, i cili me një goditje me kokë në minutën e 78’-të të sfidës “vulosi” barazimin.

Në krahun tjetër, në arenën “Stadion pod Bijelim Brijegom” të Mostarit në Bosnje dhe Hercegovinë, vendasit e Zrinjski u mundën nga sllovakët e Slovan Bratislava, me rezultatin e ngushtë 0 me 1. Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e 53’-të të lojës, ku pas një asistimi perfekt nga braziliani Lucas Lovat, sulmuesi ganez, Sharani Zuberu gjen rrugën e rrjetës, duke marrë kështu avantazhin e më vonë duke “vulosur” fitoren në përballjen e parë.

Përveç sllovakëve, fitore kanë arritur dhe danezët e Copenhagen, të cilët në arenën “Kopavogsvollur” të Kopavogurit në Islandë mposhtën kampionët vendas të Breidablik me rezultatin e pastër 0 me 2. Të dy golat e sfidës erdhi në pjesën e parë, ku fillimisht sulmuesi suedez Jordan Larsson gjen avantazhin që në minutën e parë të lojës e më vonë në të 32’-tën, po Larsson kësaj here asiston për mesfushorin danez Rasmus Falk, i cili me një goditje të saktë çon rezultatin në 0 me 2, rezultat, i cili do të vuloste dhe “fatet” e sfidës më vonë.

Tashmë, për të mësuar ekipet që kalojnë në raundin e parafundit të kualifikueseve të UEFA Champions League na duhet të presim javën e ardhshme, ku Copenhagen do të presë në Danimarkë islandezët e Breidablik, zviceranët e Servette do të udhëtojnë drejt Belgjikës për t’u përballur me Genk, ndërsa sllovakët e Slovan Bratislava do të presin në “shtëpi”, boshnjakët e Zrinjski.

 

sfidanti.al