Zërat se Nejmari do të largohet nga PSZH-ja dhe do të kthehet te Barcelona po bëhen gjithnjë e më të fortë. Thuhet se Nejmari nuk e ndjen veten mirë në klubin francez dhe Barcelona po bën përpjekje që ta kthejë atë në radhët e veta, ndërkohë që edhe vetë futbollisti brazilian do që të kthehet në klubin katalonjas.
“Është e vërtetë se Nejmari ka shprehur dëshirën që të kthehet te Barcelona, por ne ende nuk e kemi shqyrtuar këtë opsion”, i deklaroi ESPN-së nënpresidenti i Barcelonës, Zhordi Kardoner.
Sa u përket spekulimeve se Nejmari do të kthehet në Spanjë, u prononcua edhe presidenti i La Ligës spanjolle, Havier Tebas:
“Shpresoj që Nejmari të mos kthehet në Barcelonë. Të mos më keqkuptoj njeri, ne me të vërtetë duam që në ligën tonë të vijnë lojtarët më të mirë, por, kur është fjala për Nejmarin, sjellja e tij nuk është e mirë. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha që në ligën tonë të krijojmë një atmosferë me vlera të vërteta dhe nuk duam që një individ ta ndryshojë këtë atmosferë. Ndoshta, ai është një lojtar fantastik, por sjellja e tij do të tregojë edhe imazhin tonë”.
Sfidanti.al