Cigarja, kafetë dhe supersticionet, ky është Sarri “tjetër”!

Mauricio Sarri është sot padyshim një nga trajnerët më të mirë të botës, dhe po pretendon titullin tek Çelsi. Italiani 59-vjeçar gjithsesi e ka pasur shumë të vështirë për t’u ngjitur në majë, duke punuar për shumë vite në nivele të ulëta, e ndoshta prej kësaj, është edhe shumë supersticioz. Disa zakone të tij i tregon gazetari Fabricio Ferrari, që punoi si zëdhënës shtypi për ekipet e Sarrit tek Sansovino dhe Sanxhovaneze.

“Cigare pa fund, dhe tri kafe njërën pas tjetrës, – thotë Ferrari për mediat angleze, – vetëm kështu mund të quhesh Sarri”. Historinë e kafeve e tregon ish-lojtari i tij, Fabricio Maxini, në ekipin amator, Stia. “Një ditë para ndeshjes, ne pimë tri kafe dhe të nesërmen fituam, – thotë ai, – më pas, Sarri kërkoi që ne të pinim gjithnjë nga 3 kafe para ndeshjeve, që të na ecte mbarë”.

Një tjetër supersticion i Sarrit ishte që, kur ishte në makinë dhe ajo merrte një kthesë të fortë, ai ndizte një cigare, pasi mendonte se kjo do t’i sillte fat.

Sarri kurrë nuk i shkelte vijat e bardha të fushës, edhe kjo për bestytni. Në ligat amatore në Itali, stoli i trajnerit ishte në krahun e kundërt me dhomën e zhveshjes, ndaj Sarri kalonte anash fushës, prapa portave, derisa arrinte në vendin e tij. Ai gjithnjë hynte i fundit në fushë, pasi mendonte se kjo i sillte fat, dhe vërtet një herë i ndodhi që trajneri i Romës, Luçiano Spaleti, bëri shaka duke hyrë ai i fundit në fushë. Roma fitoi 3-1 ndaj Napolit atë ndeshje.

Ndoshta ishin edhe këto bestytni, bashkë me mungesën e fatit, që e penguan për një kohë të gjatë që të ngjitej në elitë. Nga viti 1990 deri në 2012, ai mbeti një njeri i panjohur në futbollin italian, duke drejtuar 16 skuadra, me emra të çuditshëm si Stia, Faeleze, Kavrilia, Antela, Valdema apo Tegoleto. Pas Peskarës, Veronës apo Peruxhës, erdhi Empoli më të cilin u ngjit në Serinë A, ndërsa kulmi arriti me Napolin dhe tani me Çelsin.

Sfidanti.al