Kur gjyqtari vërshëlleu përfundimin, gjëja e parë që u mendua ishte se ishullorët kanë qenë “shembullorë” në të dyja ndeshjet deri tani. Pasi Mançester Siti fitoi 5-0 në Portugali ndaj Sportingut të Lisbonës, një tjetër skuadër angleze e bëri detyrën pa njollë, Liverpuli. Suksesi 2-0 në “San Siro” ndaj Interit nuk mund të thuhet se siguroi kualifikimin, siç bënë të besuarit e Pep Guardiolës, por sidoqoftë është një hap tepër i madh drejt çerekfinaleve të Championsit. Firmino e Salah shënuan golat në fund.
Përtej rezultatit, Liverpuli vuajti jo pak pas pushimit nën sulmet e furishme të italianëve, veçse në total mund të thuhet se nuk e vodhi fitoren. Statistikat flasin për 54 për qind zotërim topi, 13 gjuajtje drejt portës (9 Interi). Vërtet, vetëm 2 ishin në kuadrat, ato që sollën golat, për zikaltërit nuk ia dolën kurrë ta fusnin topin brenda tre shtyllave, edhe pse e rrahën njërën prej tyre me Çalhanoglunë. Ishte përvoja që i nxorri “në breg” lojtarët e Jurgen Klopit, që patën eksperiencën dhe qetësinë për ta dërguar topin në rrjetë. Po ashtu, është më e lehtë me një stol të tillë, kur trajneri mund të hedhë pas pushimit, Firminon, Luis Diazin, Hendersonin, Milnerin apo Keitën, duke pasur rezervë edhe Gomezin, Okslejd-Çembërlenin, Matipin apo Origin.
Siç tha Rio Ferdinandi, ish-ylli i Junajtidit sot analist, “një skuadër e madhe duhet të dijë të përballojë stuhitë, dhe të përfitojë nga rastet, po ashtu baza e fitoreve në nivele të tilla është mbrojtja dhe ajo e Liverpulit ishte shumë e mirë. Van Dajk e Konate ishin të mëdhenj, po ashtu Fabinjo”. “Nuk ishte Liverpuli më i mirë, – tha Majkëll Oueni, – por, ky ekip nuk i dorëzon ndeshjet. Ka mbrojtje të fortë dhe cilësi në sulm”.
Interi (3-5-2): Handanoviç, Shkriniar, De Vraj (Ranokia 87’), Bastoni (Dimarko 90’1), Damfris (Darmian 87’), Vidal (Galiardini 87’), Brozoviç, Çalhanoglu, Perishiç, Lautaro Martinez (Aleksis Sançez 70’), Xheko.
Liverpuli (4-3-3): Alison, Aleksandër-Arnold, Konate, Van Dajk, Robertson, Eliot (Keita 59’), Fabinjo (Henderson 59’), Tiago Alkantara (Milner 86’), Salah, Zhota (Firmino 46’), Mane (Luis Diaz 59’).
Sfidanti.al