Champions: Kualifikohet Juvja, shpëton Barça, CR7 mban gjallë Junajtidin!

Disa rezultate të rëndësishme u arritën në mbrëmjen e katërt në grupet e Championsit. Juventusi arriti kualifikimin dy ndeshje para përfundimit, duke lënë pas shijen e hidhur të dy humbjeve radhazi në Serinë A. Italianët mundën 4-2 Zenitin e Shën Peterburgut në Torino, ndonëse skuadra ruse shënoi vetëm një gol, atë të fundit me anë të Serdar Azmunit. Dibala realizoi dy herë për bardhezinjtë, Kieza e Morata nga një herë, ndërsa barazimi i përkohshëm 1-1 u arrit me autogolin e Bonuçit. Juventusi ka 12 pikë nda 9 të Çelsit, Zeniti ka 3 pikë dhe Malmoe 0.

Barcelona arriti një fitore shumë të rëndësishme që e shpëtoi për momentin nga eleminimi që në grup. Suksesi ishte minimal 1-0 në “Stadiumin Republikan” të Kievit ndaj Dinamos vendase. Goli i vetëm u shënua nga Ansu Fati në minutën e 70’, ndërsa 18-vjeçari që mban fanelën me numrin 10 të Mesit u kthye nga dëmtimi në kohën e duhur. Ky rezultat, kombinuar me humbjen e Benfikës 2-5 në fushën e Bajernit, bëri që Barcelona të ketë 6 pikë ndaj 4 të portugezëve, ndërsa i pret në “Kamp Nou” në javët e ardhshme.

Barazim tepër i rëndësishëm për Mançester Junajtidin që rrezikonte eleminimin me humbjen në fushën e Atalantës. Dy herë italianët kryesuan me golat e shënuar nga Iliçiç e Zapata, por Kristiano Ronaldo barazoi që të dyja herët dhe golat u shënuan ironikisht në minutën e parë shtesë të pjesës së parë dhe në minutën e parë shtesë të së dytës. Junajtidi ka 7 pikë, po aq sa Vijarreali, ndërsa Atalanta ka 5 pikë.

Grupi E: Bajern-Benfika 5-2, Dinamo K.-Barcelona 0-1. Bajerni 12 pikë, Barcelona 6, Benfika 4, Dinamo K. 1.

Grupi F: Atalanta-Man. Junajtid 2-2, Vijarreal-Jang Bojs 2-0. Vijarreal 7 pikë, Man. Junajtid 7, Atalanta 5, Jang Bojs 3.

Grupi G: Volfsburg-Salcburg 2-1, Sevilja-Lilë 1-2. Salcburg 7 pikë, Lilë 5, Volfsburg 5, Sevilja 3.

Grupi H: Malmoe-Çelsi 0-1, Juventus-Zenit 4-2. Juventus 12 pikë, Çelsi 9, Zeniti 3, Malmoe 0.

Sfidanti.al