Shqetësimi më i madh është fakti se gjithçka mbetet mister. Kanë kaluar disa ditë që kur Kristian Eriksen u rrëzua në fushën e lojës duke rrezikuar jetën, por pavarësisht se ai është shumë më mirë, as analizat më të hollësishme në një vend kaq të përparuar sa Danimarka nuk kanë arritur të zbulojnë gjë. Çfarë ndodhi me zemrën e mesfushorit 29-vjeçar? Këtë po përpiqet të mësojë së pari vetë futbollisti, i cili ka folur që nga spitali me shokët e tij tek Interi i Milanos, por edhe me ata të kombëtares daneze.
“Ndihem mirë dhe kam besim se do të rikthehem në fushë, – ka thënë Erikseni, – shpresoj që sa më shpejt të nis stërvitjen, por më parë dua të di se çfarë pata dhe se çfarë ndodhi me mua”. Mjeku i kombëtares së Danimarkës, Morten Boezen, thjesht deklaroi se lojtari pati një ndalim të zemrës, dhe se u shpëtua në limitet e mundshme, por nuk mundi të shpjegonte shkaqet sepse analizat deri tani kanë dalë mirë. Ish-doktori i tij tek Totenhemi, Sanxhai Sharma, shpjegon se Erikseni nuk ka pasur probleme kur ishte në Londër, ndërsa arsyeton se ky mund të ketë qenë një problem kardiak i fshehur, ose diçka që është zhvilluar pas vitit 2019, ose mund të ketë pasur ndikim Kovidi.
Ende nuk dihet nëse mesfushori 29-vjeçar do të mund ta vazhdojë karrierën, ndërsa niveli i tij tek skuadrat e klubeve dhe në kombëtaren e Danimarkës padyshim që ka qenë i lartë. Përpara tij ka ndodhur që lojtarë të tjerë ta kenë mbyllur me futbollin për probleme të ngjashme, por vetë Erikseni mbetet me besim se ai do t’ia dalë mbanë.
Sfidanti.al