Çfarë luksi për Realin, mund të bëjë pushim në La Ligë në pritje të Sitit!

Dy ekipet që synojnë finalen e Championsit, do të kenë një histori të ndryshme këtë fundjavë në kampionatet përkatëse. Reali luan të shtunën në “Bernabeu” në La Ligë (16:15) duke pritur në fushën e vet Espanjolin, dhe ka luksin për të lënë pushim lojtarët kryesorë, sepse titullin praktikisht e ka fituar. Diferenca me Barcelonën dhe Seviljen është 15 pikë, ndërsa në lojë janë pikërisht 15 pikë! Kjo do të thotë se trajneri Karlo Ançeloti mund të kursejë, Benzemanë, Modriçin, Krosin, Vinisiusin, Alabën apo Militaon, ndërsa në ekip kthehet Kasemiro nga dëmtimi. Në të kundërt, Siti do të luajë po të shtunën në Premier Ligë në 18:30 në fushën e Lids Junajtidit, pra ndaj një ekipi që rrezikon rënien nga kategoria, ndërsa vazhdon gara e çmendur për titull me Liverpulin. Pep Guardiola nuk mund t’ia lejojë vetes që lojtarët e tij të pushojnë për të qenë gati të mërkurën.

Sfidanti.al