Siç thuhet në këto raste, ka marrë superxhiro. Xhakomo Vrioni realizoi 3 gola për ekipin e tij, Tirolin, në Bundesligën austriake, dhe iu afrua kreut të renditjes së shënuesve më të mirë. Me 15 rrjeta ai është vetëm 2 gola larg sulmuesit të Salcburgut, Karim Adejemi, që mban vendin e parë në garën për Këpucën e Artë. Kur duhen edhe 3 ndeshje deri në mbyllje të kampionatit, futbollisti i kombëtares shqiptare ka mundësi të tentojë mrekullinë, e cila dukej shumë larg. Pas fitores së Tirolit 4-0 ndaj LASK-ut të Lincit, Vrioni e mori me vete topin, siç ndodh zakonisht kur një lojtar realizon tri herë në një ndeshje.
Edicioni ka qenë i mrekullueshëm për 23-vjeçarin e huazuar nga Juventusi, i cili papritur ka tejkaluar çdo parashikim, qoftë ato personale, qoftë edhe të “Zonjës së Vjetër” apo të specialistëve të futbollit. Vrioni i ka shënuar 15 rrjetat e tij në vetëm 22 ndeshje, ndërsa Adejemi ka 17 gola në 26 ndeshje, pra shqiptari ka rendiment më të lartë, edhe pse rivali i tij luan në skuadrën më të mirë të Austrisë, që fitoi një tjetër titull kampion. Mediat italiane shkruajnë se Juventusi po e ndjek nga afër sulmuesin 23-vjeçar, ndërsa po shikohet mundësia për ta kthyer në ekip. Pavarësisht se piemontezët synojnë gjithnjë elitën, dhe kanë në plan sulmuesin e Sasuolos, Raspadori, me largimin e Dibalës, sërish Vrioni mbetet një alternativë shumë e mirë, për më tepër pa kosto si lojtar i Akademisë juventine.