Çfarë krize tek Barcelona e Ksavit me sulmuesit: Fati, Brejthuejt, Aguero!

Mungesat janë të shumta dhe ndeshja ndaj Betisit duhet luajtur në sulm e duhet fituar. Nuk ka rrugë tjetër për Barcelonën e Ksavi Hernandezit nëse dëshiron të ketë shpresë për t’u kualifikuar sërish sezonin e ardhshëm në Champions. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë të luhet në sulm, pa pasur sulmuesit e duhur. Ansu Fati nuk do të jetë kundër Betisit, madje me shumë gjasë nuk do të jetë as ndaj Bajernit në Mynih në Champions. Brejthuejt mbetet i dëmtuar, Aguero duket se e ka lënë për fare futbollin, ndërsa Usman Dembele nuk është as në qiell dhe as në tokë.

Bisedimet me Barcelonën nuk po ecin, ndonëse Ksavi deklaron se nuk do ta lerë në tribunë nëse nuk rinovon kontratën. Nga ekipi janë larguar “ajka” e sulmit Lionel Mesi dhe Antuan Grizman, ndërsa një sezon e ca më parë iku edhe Luis Suarez. Vështirë që ndonjë ekip i madh të ketë pasur kaq shumë probleme me sulmin sa Barcelona, ndërsa nuk duhet harruar se ka të dëmtuar edhe “margaritarin” e mesfushës, Pedrin. “Do të shkojmë të luftojmë në sulm e të fitojmë me këta lojtarë që kemi, i kemi ngarkuar futbollistët aq sa i kemi dëmtuar”, – thotë Ksavi.

Sfidanti.al