Bajerni kërkon një lider për mbrojtjen, ndërsa është dëmtuar shumë nga largimi i David Alabës, dhe nga pasiguria e Niklas Zyles që gjithashtu pret të largohet. Bavarezëve u duhet edhe një mbrojtës i djathtë me tipare sulmuese. Mbrojtja e skuadrës, edhe kur është me 3 apo me 4 lojtarë, nuk ka pasur koherencën e duhur dhe sipas mediave ekziston nevoja për një futbollist me autoritet që “t’u bërtasë” shokëve për t’i sjellë në vete. As Lukas Hernandez, as Pavar dhe as Upamekano nuk janë të tillë, ndërsa Alfonso Dejvis luan në krah. Nga ana tjetër, Serg Gnabri ndihet i pasigurt për shkak të pozicionit në të cilin duhet të luajë dhe për rrogën që pretendon, e atë që mund t’i jepet. Nuk është gjë e vogël për Bajernin, sepse Gnabri është një nga futbollistët më cilësorë të ekipit që shkëlqeu shumë me Hansi Flikun. Mediat njoftojnë se klubi nuk ka bërë dot përparime në bisedimet për kontratën e re me sulmuesin, ndërsa akordi i vjetër përfundon në 2023. Sëmundja e Dejvisit ka ndikuar në pozicionin e Gnabrisë. Në këtë situatë, thuhet se edhe trajneri Julian Nagelsman nuk është i kënaqur me punën që po bën klubi për transferimet, e ndoshta edhe ai po e humbet durimin si paraardhësi i tij, Fliku.
Sfidanti.al