Gjykata e Tiranës vendos të pezullojë zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit në nivel vendi, një vendim që edhe pritej pasi u njoh një shoqatë rajonale e kryeqytetit me në krye Eduard Prodanin dhe jo ajo e FSHF-së me kryetar Krenar Alimehmetin. Kjo gjykatë mori vendim për të pezulluar Komisionin e Verifikimeve në Federatë, dhe po ashtu që të pezullojë Komitetin Ekzekutiv dhe vendimin e tij të 21 janarit për mbajtjen e Asamblesë në 2 mars. Arsyetimi është se procesi zgjedhor nuk mund të zhvillohet në një kohë që ka ankimime në gjykata për shkelje të statutit dhe të procedurave. Ky vendim pritet të rrezikojë mbajtjen e Asamblesë së Federatës të parashikuar pas vetëm dy javësh, ku duhet të zgjidhet presidenti i ri dhe Komiteti Ekzekutiv. Gjykata e shpalli këtë gjë, ndërsa pikërisht sot përfundoi misioni i zyrtarëve të UEFA-s në Tiranë, që mblodhën informacion për zgjedhjet dhe do ta raportojnë në selinë e UEFA-s në Zvicsër. Federata nga ana e saj ka deklaruar se konfliktet e futbollit zgjidhen në gjykata sportive, dhe se kjo gjë nuk e ndalon dot Asamblenë. E qartë se këtu kemi të bëjmë me një betejë mes dy “gjykatave të pavarura”, të “drejtësisë së pavarur shqiptare” dhe “drejtësisë së pavarur” të UEFA-s. Dy ditë më parë, Eduard Prodani e lëshoi një thumb ndaj europianëve duke thënë se “ata kishin dy ditë që punonin me vetëm njërën palë, dhe kjo nuk është e besueshme”. Të shohim sesi do të përfundojë beteja “e të pavarurve”!
Sfidanti.al