Shorti i Championsit ende nuk është hedhur, por ka një skuadër që jo vetëm e ndjen veten tepër të sigurt, por edhe e deklaron këtë gjë. Natyrisht, nuk është i gjithë Bajerni që flet, por mjafton Xhoshua Kimih, ylli i ri i projektuar si kapiteni i ardhshëm. “Natyrisht, rivalët janë të fortë, sidomos të paktën dy prej tyre tepër të vështirë, por nëse ne jemi në formën e duhur, hyjmë në garë si favoritë”, – ishin fjalët e tij. Guximi i 24-vjeçarit është i dukshëm pasi rivalët e pritshëm janë Reali, Atletiko, Çelsi, Napoli, por edhe Lioni e Atalanta.
Bajerni i fitoi të 6 ndeshjet në grup në Champions, diçka që asnjë skuadër gjermane nuk e kishte bërë më parë. Me 18 pikë të mbledhura, bavarezët patën edhe golaverazhin +19, më të mirin e të gjitha kohëve. Reali (dy herë), Barcelona, Milani dhe Paris SG i kanë fituar të 6 ndeshjet më parë, por me golaverazh më të keq. “Kjo seri do të hyjë në histori, – thotë Rumenige, – edhe pse ne kemi ende detyra të mëdha përpara”. Mbetet të luftohet në kampionat ku Bajerni është 7 pikë prapa Gladbahut. “Rëndësi ka që të mos humbasim pikë që tani e tutje, – thotë Kimih, – të luajmë siç kemi bërë nja dy javë më parë”.
Sfidanti.al