Ndeshja në “Uembli” ishte një reklamë për futbollin dhe për Çelsin e Liverpulin, por kostoja për Blutë e Londrës ishte e lartë. Kjo mund të ndikojë negativisht në sfidën e sotme të Kupës së Anglisë ndaj Lutonit. Azpilikueta u dëmtua në “Uembli”, Risi Xhejms u detyrua të luante 70 minuta në vend të tij ndërsa sapo ishte kthyer nga dëmtimi, dhe padyshim që është i mbilodhur. Tuhel nuk mund të llogarisë as Hakim Zijeçin dhe Andreas Kristensenin. Përpara ndeshjes me Liverpulin i dëmtuar ishte vetëm Ben Çiluell, ndërsa tani gjithçka ndryshoi në mënyrë dramatike dhe shumë futbollistë të bluve të Londrës janë edhe shumë të lodhur. “Do të shpenzonim shumë kohë dhe shumë fjalë nëse do të flisnim për këtë gjë, – tha trajneri gjerman, – do të ishte një listë e gjatë. Fizioterapistët dhe mjekët po punojnë me lojtarët për t’i bërë gati”. Çelsi luan sot në orën 20:15 në fushën e Lutonit për Kupën e Anglisë dhe do të dojë të mos pësojë zhgënjimin e dytë radhazi.
Sfidanti.al