Nuk janë larg kreut të renditjes në Lindje, por gjithsesi forma e këtij sezoni nuk ka qenë aspak bindëse. Miluoki Baks nuk është ekipi i paprekshëm i vjetshëm që fitoi me meritë titullin në NBA në Finalen e Madhe ndaj Feniksit. Mungesat nga Kovidi dhe nga dëmtimet, si dhe një sezon i ngarkuar për Midëltonin apo Holidein bënë që kampionët ta kishin sezonin me luhatje, veçse kur janë në formën e tyre të duhur mund t’ia dalin ndaj gjithkujt. Janis Adetokumbo ishte heroi ndaj Sharlotës në fitoren 130-106. Kapiteni shënoi 26 pikë në 28 minuta, shtoi 16 topa në tabela, 6 asistë, 2 vjedhje topi e 4 bllokime gjuajtjesh si dhe vetëm 3 topa të humbur. Midëlton (19 pikë), Portis (20), Alen (11) dhe Holidei (30) ishin gjithashtu shumë të mirë. Miluoki është në vend të 4-ët në Lindje me 37 fitore e 25 humbje, ndaj 41 fitoreve e 21 humbjeve të Majemit që kryeson. Adetokumbo është shënuesi i dytë më i mirë i sezonit deri tani në NBA me 29.4 pikë për ndeshje, i lënë pas vetëm nga Zhoel Embijd.
Sfidanti.al