Çdo të thotë për Napolin fitorja ndaj Atalantës? Ja pra, që titulli është më pranë!

Një disfatë e papritur u la pas. Napoli vendosi të harronte disfatën ndaj Lacios në fushën e vet dhe këtë e bëri me fitoren 2-0 ndaj Atalantës. Kryesuesit e Serisë A merituan gjithçka në stadiumin “Maradona” duke dominuar një rival aspak të lehtë dhe duke shënuar nga një gol në çdo pjesë loje. i pari ishte shumë i bukur, i realizuar nga ylli gjeorgjan, Kviça Kvaratskelia, ndërsa i dyti nga Amir Rrahmani. Mbrojtësi i Kosovës dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje nga këndi. Ky ishte goli i dytë në këtë kampionat për Rrahmanin, pas atij që realizoi ndaj Juventusit.

Skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti pati epërsi duke mbajtur topin në pjesën më të madhe të kohës. Po ashtu, pati shumë më tepër gjuajtje drejt portës dhe në kuadrat. Çfarë do të thotë kjo fitore për napolitanët? Padyshim që ky sukses i afron edhe më shumë me titullin kampion të fituar për herë të fundit në kohën e Maradonës. Jo më kot, kjo skuadër ka shënuar më shumë gola në Serinë A dhe ka pësuar më pak. Napoli kryeson kampionatin me 68 pikë, tepër i shkëputur nga rivalët si Interi, Lacio, Roma apo Milani.

Sfidanti.al