Broja nuk qenka i dëmtuar, ndërsa Uest Hemi është ai që e do më shumë!

Në mbërritje nuk mund të ishte më shumë i pasigurt se aq. Armando Broja u bashkua me Çelsin në Los Anxhelos, ndërsa gjithë vëmendja ishte tek ylli anglez, Rahim Stërling, ndërsa sulmuesi shqiptari mbetej në errësirë për të ardhmen. Për fat të keq, të qeshurat dhe shakatë në prag të stërvitjes ia lanë vendin një lajmi të keq, kur në rrjetet sociale doli kjo foto. Ylli 20-vjeçar u shfaq i dëmtuar dhe me çizme mbrojtëse në këmbën e majtë. Për fat, trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel, largoi shpejt alarmin.

“Ai pati një aksident të vogël në stërvitje gjatë kontrollit të topit, – tha tekniku, – dhe u rrëzua në një mënyrë humoristike dhe të rrezikshme për kaviljen  dhe tendinin e Akilit. Ai pati dhimbje, por për fat nuk ka dëmtim. Ne bëmë kontrollin mjekësor dhe ka vetëm dhimbje. Ai nuk po stërvitet dhe është nën trajtim. Jemi me fat dhe të lumtur që Armando nuk u dëmtua”.

Padyshim që jemi të edhe ne të lumtur, por ku do të jetë Broja sezonin e ardhshëm? Mediat angleze shkruajnë se Uest Hemi ka bërë ofertën e parë konkrete prej rreth 25 milionë paundësh stërlina, në të cilën përfshihen 5 milionë paundë si shpërblime në bazë të klauzolave. Në Angli kërkohet edhe nga Njukasëlli, Evertoni dhe Uest Hemi, ndërsa Çelsi do të vendosë vetëm pasi Tuhel ta shohë nga afër. Në Itali, ndërkaq, janë të bindur se Napoli i ka të gjitha letrat në rregull për Brojën, ndërsa kërkon edhe portierin spanjoll, Kepa.

“La Gazeta delo Sport” shkruan se raportet e dy klubeve janë shumë të mira, pasi Zhorginjo e Sarri shkuan nga Napoli tek Çelsi, dhe pasi është arritur akordi që londinezët të marrin mbrojtësin Kulibali. Gjithsesi, ekziston gjithnjë një mundësi e madhe që Blutë e Londrës ta mbajnë 20-vjeçarin. Pasi shënoi 9 gola për Sauthemptonin sezonin e kaluar, 6 prej të cilëve në Premier Ligë, ai ka bindur dhe gati 76 për qind e tifozëve në anketën e tabloidit “San” (The Sun) ishin që ai të mbetej në “Stemford Brixh”. Me largimin e Lukakut, dhe me mosmbërritjen e Rafinjës apo Dembelesë, Tuhel ka vetëm Havercin e Stërlingun si sulmues të besuar. Pulishiç, Verner dhe Zijeç kanë zhgënjyer, pra përse të mos i jepet një shans Armando Brojës?

Sfidanti.al