Broja kundër rrymës në Angli për emigrantët: “Krenar që jam nga Shqipëria!

Nëse në Premier Ligë ia ka dalë, në Europë ende jo. Armando Broja ka pasur pak shanse për të treguar veten në Champions, por duket se mundësinë e madhe do ta ketë sonte në orën 21:00. “Ju e dini se Çelsi është njëri nga ekipet më të fortë në botë dhe se është e vështirë të jesh titullar këtu. Unë isha i lumtur që m’u dha rasti të luaja në Premier Ligë vjet, por tashmë tek Çelsi është një skenë më e madhe. Nuk është e lehtë, por unë përpiqem t’i shfrytëzoj, të jap maksimumin në fushë dhe në stërvitje për ta fituar vendin. E vështirë, por do të luftoj dhe po e shijoj këtë sezon”.

Broja pyetet sesi do të festojë nëse do të shënojë gol. “Do ta mendoj, por së pari le të shpresojmë që do të shënoj. Deri tani nuk kam bërë ndonjë plan. Le ta shikojmë sesi do të shkojë ndeshja”.

Flitet shumë për një kalim tek Milani apo në Spanjë. “Ju e dini se ka shumë lajme në media, sipas të cilave unë jam në shumë skuadra të tjera. Sa për veten time, unë mendoj vetëm të përqëndrohem, të jem gati për këtë sezon, siç bëra në fazën përgatitore, për t’i treguar trajnerit se çfarë mund të bëj për këtë ekip. Nuk është se shqetësohem shumë për ato që ndodhin jashtë fushe”.

Nuk mund të mungonte një ngacmim për situatën me emigrantët e shumtë shqiptarë që synojnë Britaninë e Madhe. “Nuk kam lexuar me saktësi se çfarë po ndodh, por për mua është krenari të them se jam nga Shqipëria. Prindërit e mi erdhën në Angli nga atje, origjina ime është atje. Unë jam i lumtur të luaj për vendin tim, është krenari të luaj për kombëtaren. Kam dëgjuar shumë histori, por sa më takon mua mund të them se jam krenar që jam shqiptar, dhe se vendi ynë është i mrekullueshëm”.

Sfidanti.al