Një vit më parë kishte ndodhur tragjedia e Hillsborout, me gati 100 të vdekur në gjysmëfinalen e Kupës. Qeveria e Margaret Theçerit, sipas tij, ishte antifutboll, ndërsa opinion publik e mediat dolën kundër trajnerit Bobi Robson, sepse u mor vesh se ai kishte rënë dakord për të shkuar tek PSV Ajndhoveni. Akuzat u ngritën në nivelin e tradhëtisë, dhe u deklarua që, nëse do të kishte qenë koha e vjetër, Robsonin do ta kishin mbyllur në Kullën e Londrës, aty ku ekzekutoheshin tradhëtarët e shtetit.
Gjithsesi, Anglia në Botërorin 1990 kishte personalitete në skuadër. Geri Lineker, Brajan Robson, Pol Gaskoin, Kris Uadëll, Stiv Mekmahon. Ata iu kundërvunë gazetarëve, dhe nuk deshën të flisnin me ta. U bënë grusht rreth trajnerit të tyre, me Robsonin që nuk kishte ndonjë përgatitje të jashtëzakonshme teknike, por ishte motivues i madh, shumë i kulturuar dhe orator, besnik i madh, dhe njeri me humor.
Bobi ishte gati ta vinte veten në rolin e atij që tallej, ndërsa nuk munguan gafat për të qeshur. Ai thoshte “Garth” për Geri Linekerin, “Shilli” për Piter Shiltonin, ndërsa ngatërronte Parkerin me Uollasin dhe Keni Samsonin me Derek Stathamin. Një herë, ai u ngatërrua dhe iu drejtuar Brajan Robsonit: Bobi! “Jo, ti je Bobi, kurse unë jam Brajani”, – u përgjigj kapiteni.
Në këtë atmosferë të vështirë, Anglia e nisi keq me barazimin ndaj Irlandës, një ndeshje e shëmtuar, që u quajt “lufta e yjeve”, “kthejini në shtëpi” (shkruajtën tabloidët), apo “jo futboll, ju lutem, jemi anglezë” (nga “La Gazeta delo Sporti”. Gjithsesi, anglezët arritën deri në gjysmëfinale ku u eleminuan në frymën e fundit, vetëm pas penalltive nga Gjermania.
Sfidanti.al