Të gjithë e mbajnë mend rivalitetin e shfrenuar që shpërtheu pas Euro 2016, kur Kosova dhe Shqipëria nisën një “luftë” brenda llojit, për t’i marrë sa më shumë futbollistë njëra-tjetrës. Iku Rashica, Rahmani e ndonjë tjetër dhe trajneri Bunjaki u ndje si hero në krahun tjetër të kufirit, ndërsa De Biazi që po humbiste terren, u justifikua duke i përçmuar ata që dikur i kishte vlerësuar si talente. Ndërkohë që kjo garë e palogjikshme, që po merrte jetë nëpërmjet bisedimeve të fshehta (pra as që mund të flitej për bashkëpunim) , vazhdon ende. U fol për futbollistë të tjerë që dy kombëtaret tona kërkonin t’i joshnin me të njëjtën mënyrë, pra fshehtas, duke mbërritur tek minorenë, siç është rasti i Çlirim Gashit, një 16 vjeçar që luan në Gjermani.
Veçse shqiptarët dinë të bëjnë edhe konsensus, por një gjë të tillë e arrijnë vetëm kur u cënohen interesa personale. Rreth një muaj më parë, mediat kosovare informuan për një interes të Federatës, për një afrim të mundshëm të Besnik Hasit në pankinën e Kombëtares. Ndërkohë, më parë edhe Shqipëria e kishte kërkuar trajnerin kampion të Anderlehtit për Kombëtaren e saj. Por për Bunjakin, Hasi nuk ishte një nga kosovarët që duhet mbështetur, sepse kjo do të thoshte të firmoste pensionin e tij. Madje në këtë rast, trajneri I Kosovës, për herë të parë ishte dakort, që Besniku të shihte nga fqinjët e Shqipërisë. Ndërkohë, së fundmi është njoftuar që Hasi ka gjetur një skuadër tjetër në Belgjikë, Genkun, dhe të gjithë mund të qetësohen e të rifillojnë luftën e tyre të pandershme.
Sfidanti.al