Benzema-Asensio-Benzema, Reali “këput zinxhirët” ndaj Valencias!

Një skuadër e madhe duket kur, pasi ka qenë në vështirësi përballë një kundërshtari arrin të fitojë thellë. Edhe suksesi 3-0 i Realit të Madridit në “Miniestadi Alfredo Di Stefano” ndaj Valencias ishte i tillë, pasi “merengesit” rrezikuan të nokautoheshin në pjesën e parë, por arritën ta hidhnin në tapet kundërshtarin. Rodrigo Moreno goditi shtyllën dhe pati një gol të anuluar për pozicion jashtë loje milimetrik, ndërsa pas pushimit të besuarit e trajnerit Zinedin Zidan gjetën ritmin e tyre.

Ndodhi e kundërta e asaj që ngjau ndaj Eibarit, kur Madridi shkëlqeu në 45 minutat e para, por zhgënjeu në të dytat dhe tekniku francez nuk besohet se pati arsye të zemërohej e të bërtiste këtë herë. Karim Benzema, Marko Asensio dhe sërish Karim Benzema ishin autorët e golave për një ekip që është tepër i fortë, edhe pse jo gjithnjë arrin të ketë vazhdimësi. “Fytyra më e mirë e Madridit”, – titulloi “Marka”. “Kur lidhen Hazari me Benzemanë”, – vazhdoi kjo e përditshme, ndonëse pohoi se pati polemika për golin e anuluar për Rodrigon e Valencias. “Festa e Benzemasë dhe e Asensios”, – theksoi “AS”, ndërsa hyrja e Marko Asensios në pjesën e dytë ndryshoi lojën e madrilenëve. Reali ka 62 pikë ndaj 64 të Barcelonës kryesuese.

Sfidanti.al