Bayerni pranon problemet financiare

Situata financiare në kampin e Bayernit ka hyrë në vëmendjen e drejtuesve të klubit. Karl-Heinz Rummenigge, anëtar i bordit drejtues që nga viti 2023, ka pranuar në një intervistë për BILD se pagat e larta të disa lojtarëve janë kthyer në një problem të madh për klubin bavarez.

“Problemi kryesor janë pagat e fryra. Edhe ne, te Bayerni, po e ndiejmë këtë. Jemi treguar shumë bujarë me kontratat dhe tani duhet të jemi kritikë dhe më të kujdesshëm,” tha Rummenigge.

Një tjetër çështje që ka trazuar tifozët është refuzimi i Florian Wirtz për t’u bashkuar me Bayernin, pasi talenti gjerman zgjodhi të transferohej te Liverpooli. Rummenigge e komentoi kështu situatën:

“Bëmë gjithçka që mundëm. Nuk ka pasur gabime nga ana jonë. Ishte thjesht një vendim personal i Florianit dhe duhet ta respektojmë.”

Bayerni pritet të bëjë disa largime këtë verë pas përfundimit të Botërorit për Klube, përfshirë emra si Thomas Müller apo Leroy Sané. Ndërkohë, fokusi tani është tek përforcimi i repartit ofensiv, ku në listën e dëshirave është përmendur edhe sulmuesi i Milanit, Rafael Leão.

Për këtë arsye, drejtori sportiv Max Eberl është larguar nga SHBA, ku ndodhet ekipi për Botërorin, për t’u kthyer në Evropë dhe për të vijuar punën në merkato. Gjigantët gjermanë janë të vendosur për të rinovuar skuadrën, por me më shumë kujdes ekonomik.


sfidanti.al