Luiza Gega, kampione e Europës në atletikë dhe simbol i sportit shqiptar, ka hedhur akuza të rënda ndaj presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj, duke denoncuar publikisht mungesën e seriozitetit dhe papërgjegjshmërinë që, sipas saj, ka çuar në bojkotimin e kampionatit evropian.
Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Gega ka zbuluar se arsyeja pse nuk do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Europian që nis këtë javë në Slloveni, është fakti se federata kishte organizuar një udhëtim rraskapitës me autobus, një formë transporti që, siç thotë ajo, nuk i përket më një sporti elitar si atletika. “Më duhej të udhëtoja 20 orë dhe më pas të garoja. Ky nuk është profesionalizëm, ky është kthim në kohë”, shprehet Gega me zhgënjim.
Për më tepër, atletja denoncon mungesën totale të pajisjeve zyrtare: “Uniformat që kemi i ka blerë trajneri im nga xhepi para dy vitesh. Federata nuk ka shpërndarë asgjë”. Gega i drejton gishtin direkt presidentit Smajlaj, që pak muaj më parë premtoi “mbështetje për sportistët” për shkak të së kaluarës së tij si atlet. “Kur vjen si ish-sportist, pritet të kuptosh çfarë do një sportist. Por realiteti është që ai na ktheu 20 vite pas.” Një krisje serioze në marrëdhënien mes elitës së atletikës dhe drejtimit të saj? Luiza Gega e ka bërë të qartë: as respekti, as përfaqësimi, nuk mund të udhëtojnë me autobus.