Bayern Munchen kërkon Hakan Çalhanoglu

Bayern Munchen ka hedhur sytë nga Italia për të përforcuar radhët për sezonin e ardhshëm. Në listën e dëshirave të bavarezëve është një emër të cilin ata e ndjekin prej kohësh dhe bëhet e ditur se e kanë kontaktuar që në verë. Sipas portalit “Teamtalk”, Bajerni është prej kohësh në kontakt me Hakan Çalhanoglu, me të cilin flasin që në verë dhe të cilin tentuan ta afronin që atëherë, por duke marrë për momentin një përgjigje negative.

Tani raportohet se këto kontakte kanë rifilluar dhe drejtuesit bavarezë janë në bisedime si me futbollistin 31-vjeçar, ashtu edhe me Interin. Lojtari ka një kontratë deri në vitin 2027 me Interin dhe vlerësohet rreth 40 milionë euro. Çalhanoglu me sa duket kërkon një aventurë të re, pas disa viteve në Itali ku u transferua nga radhët e Leverkusenit dhe kthimi në Bundesligë është një opsion që ai e sheh me shumë interes. Vetë Çalhanoglu pranoi në një intervistë pak kohë më parë se kishte interes nga Bajerni për të, por ai ia kishte deleguar gjithçka Interit në verë. Zikaltrit asokohe nuk ishin të interesuar për të shitur futbollistin, por pronarët e rinj amerikanë, duket se e shohin situatën me një sy tjetër dhe duke parë moshën e futbollistit turk, janë gati të pranojnë oferta interesante për të.

 

sfidanti.al