Barcelona tronditet nga koronavirusi, por garanton se yjet janë gati për Bajernin!

Një lajm që edhe mund të pritej, por edhe që shqetëson. Barcelona lajmëron se një rast pozitiv me koronavirus është konfirmuar në prag të ndeshjes së Championsit ndaj Bajernit. Klubi katalanas dhe mediat spanjolle nuk japin ndonjë emër të futbollistit që ka dalë i infektuar me Kovid 19, por e përditshmja “Sport” e Barcelonës sqaron se ky lojtar i përket grupit prej 9 vetësh që iu nënshtruan testeve, dhe ndër ta nuk kishte asnjë nga yjet e njohur.

Flitet për të tillë si Pedri, Oriol Buskets, Trinkao, Uage, Miranda, Rafinja, Alenja, Mateus Fernandez dhe Todibo, ndërsa drejtuesit deklarojnë se asnjëri prej tyre nuk ka qenë në kontakt me skuadrës e parë. Gjithsesi, është e detyrueshme që Barcelona të bëjë një tjetër test për koronavirusin përpara duelit me Bajernin këtë të premte.

Katalanasit do të udhëtojnë këtë të enjte drejt Lisbonës, ku do të luajnë sfidën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, dhe besohet se nuk do të ketë të papritura, e se yjet kryesorë si Mesi, Suarez, Pike, Ter Shtegen, Busketsi, Grizmani e të tjerët do të rezultojnë negativë. Barcelona u kualifikua në çerekfinale pasi fitoi 3-1 ndeshjen e kthimit të të tetave të finaleve, ndaj Napolit, ndeshje e shtyrë për shkak të pandemisë, dhe që u luajt në stadiumin “Kamp Nou” pa prani të spektatorëve.

Sfidanti.al