Ndryshimet do të jenë të mëdha sezonin që vjen. Skënderbeu e nisi tjetërsimin me lojtarët kryesorë të skuadrës, dhe e vazhdoi me stolin, nga ku u ngrit e u largua Ilir Daja. Trajneri i ri do të jetë Julian Ahmataj, të paktën siç bëjnë me dijë burime pranë presidentit Ardian Takaj. Ish-trajneri i Kamzës, Luftëtarit dhe për pak javë i Tiranës, do të zëvendësojë Dajën, për të drejtuar një ekip që nuk do t’i ngjajë fare atij që ishte vitin e kaluar, pa e krahasuar aspak me sezonet kur shkëlqente në Europë.
Futbollistët kryesorë të edicionit që u mbyll u larguan, si Koliçi, Bregu, Dita, Taipi, Daja, Pollozhani apo të tjerë. Burimet pranë Skënderbeut bëjnë me dijë se u menduan edhe emra të tjerë si Bledi Shkëmbi, Orges Shehi, Mirel Josa e Bledar Devolli, por më pas zgjodhën Ahmatajn i cili pritet të prezantohet në 17 gusht.
Takaj ka vendosur të mbështetet në një strategji të ndryshme në krahasim me të kaluarën, duke pasur në ekip vetëm lojtarë të rinj, të cilët duhet të bëhen të njohur e pastaj të transferohen për të krijuar përfitime për klubin. Klubi thotë se pret një përgjigje nga Gjykata Federale në Zvicër, lidhur me dënimin e UEFA-s, të lënë në fuqi edhe nga KAS-i i Lozanës, por nuk është në gjendje të japë një datë se kur do të merret vendimi.
Sfidanti.al