Barça dhe Mesi duken larg, klubi i përgjigjet kërkesave të lojtarit!

Edhe Dielli në sistemin tonë planetar do ta ketë një fund, të paktën sipas shkencëtarëve, ndërsa një fund më të afërt duket se do ta ketë një tjetër sistem yjor. Lionel Mesi dhe Barcelona, me të VËRTETË, duken larg njëri-tjetrit. Edhe pse nuk mund të quhet “rrufe në qiell të pastër”, sërish bëri bujë deklarata e parë në gojën e një drejtuesi katalanas që tregoi se çfarë mund të ndodhë. “Ne duam të mbajmë më të mirët, – thotë administrator Oskar Grau, duke folur për gazetarët, – por, Barcelona ka detyrim që t’i analizojë gjërat me mendje të kthjellët dhe me sensin e mirë. Nuk mund të shpenzojmë më shumë se 70 për qind të buxhetit vetëm për rrogat e lojtarëve”.

Ka një prapaskenë, të paktën siç shkruajnë gazetat në Spanjë dhe në Europë. Përfaqësuesit e Mesit (familja e tij) ka kërkuar nga klubi një shifër vërtet të jashtëzakonshme si rrogë, nivel që në Europë nuk mund ta arrijë as Reali i Madridit, as Mançester Siti dhe as Paris SG. Flitet për 50 milionë euro në sezon, një gjë që mund të realizohet vetëm nga Kina. Mediat shkruajnë se përfaqësuesit e Mesit janë në pozita të forta sepse futbollisti kërkohet nga Siti, Junajtid dhe PSG, ndonëse gjithnjë Mesi ka qenë në pozita të forta, pasi gjithnjë është kërkuar. Për momentin, argjentinasi mer 20 milionë euro në sezon, dhe Barcelona kishte menduar t’i jepte një rrogë vjetore që të ishte, të paktën, më e lartë sesa ajo e Kristiano Ronaldos.

Sfidanti.al