Uli Hënes dhe Karl-Hajnc Rumenige janë dy njerëz me shumë përvojë në futboll. Një tjetër i tillë është pranë tyre, Hasan Salihamixhiç, dhe “triada” e Bajernit pati një zgjedhje të rëndësishme për të bërë, atë të pasardhësit të Jup Hajnkesit. Pasi “I dhanë dum”, ata u kujdesën për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se përse njeriu i pajtuar prej tyre është Niko Kovaç.
“Ne jemi të lumtur që siguruam shërbimet e Niko Kovaçit për Bajernin, – deklaroi drejtori sportiv, Salihamixhiç, në faqen zyrtare të klubit, – Niko luajti për Bajernin, ai i njeh njerëzit, njeh strukturën e klubit dhe ADN-në e tij. Ne ishim dhe jemi të bindur se ai është njeriu i duhur”.
Ish-mbrojtësi i fortë kroat luajti për Bajernin në vitet 2001-2003 duke fituar një titull Bundeslige dhe një Kupë Gjermanie, ndërsa këto kohë ka rënë në sy si trajner i Frankfurtit. Në 2016-ën, kur ai mori detyrën, Ajntrahti ishte duke rënë nga kategoria, ndërsa tani pa kaluar as dy vjet, po lufton për një vend në Champions, duke qenë i pesti në tabelë, vetëm 2 pikë larg vendit të katërt.
Niko Kovaç do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me bavarezët dhe do të nisë punë në 1 korrik, ndërsa Bajerni do t’i paguajë 2.2 milionë euro Frankfurtit, pasi trajneri kroat ka kontratë aty edhe për sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al