Kanë kaluar disa muaj nga ky moment negativ, ndërsa sot gjithçka është përmbysur. Tomas Tuhel u shkarkua në shtator të vitit të shkuar nga detyra si trajner i Çelsit, pas disfatës së rëndë në Champions ndaj Dinamos së Zagrebit, por tashmë fati i është kthyer, dhe çfarë fati. Tekniku 49-vjeçar gjerman u prezantua në detyrën e lavdishme në stolin e Bajernit të Mynihut. Kontrata e tij vlen deri në qershor të vitit 2025. i ulur në tryezën e sallës së konferencës së klubit bavarez, në krah të shefit ekzekutiv Oliver Kahn, dhe drejtorit sportiv Salihamixhiç, Tuhel tha fjalët e para si trajner i kampionëve të Gjermanisë.
“Është një nder i veçantë kur kërkohesh nga Bajerni i Mynihut, – tha ai, – Unë kam qenë në kontakt të ngushtë me Bajernin edhe më parë, por atëherë nuk mundesha të prisja. Nuk mund t’i vija të tjerët nën presion. Këtë herë gjërat ndodhën shumë shpejt. Për mua është një detyrë e nivelit më të lartë. U habita shumë sepse nuk e prisja që të ndodhte kështu. Mendoja se do ta vazhdoja karrierën jashtë vendit. Kontakti ndodhi të martën pasdite dhe unë e pranova detyrën për shkak se më pëlqen një sfidë kaq e madhe”.
Vetëm pak ditë më parë, Bajerni shkarkoi trajnerin shumë të vlerësuar Julian Nagelsman, pas humbjes në fushën e Leverkusenit në Bundesligë, me skuadrën që zbriti në vendin e dytë pas Dortmundit. Drejtuesit patën një mbledhje 1-orëshe pas së cilës Nagelsmani u largua me makinën e tij, në pritje të një detyre të re. Sa për Tuhelin, bavarezët shpresojnë që ai të arrijë në Mynih atë që bëri me Çelsin ku fitoi Championsin në 2021 ndaj Mançester Sitit, një vit pasi mbërriti finalen e këtij kompeticioni me Paris SG.
Sfidanti.al