Në “Sport Bild” për klubin bavarez shkruan një analist me përvojë si Raimund Hinko. Ai shkruan një nga ato letrat e tij publike për shefin e transferimeve tek Bajerni, Hasan “Brazo” Salihamixhiç, duke i kujtuar se përderisa kanë shpenzuar 80 milionë për Lykas Hernandezin francez, mund të nxjerrin nga xhepi gjysmën e kësaj shume, 40 milionë euro, për Robin Gosensin. Lojtari i krahut i plotëson të gjitha kushtet, pasi luan për Gjermaninë, ka ardhur nga “hiçi”, ka vullnet të hekur, dhe i nevojitet Bajernit në këtë moment, kur ka lojtarë që ikin, që mund të ikin (si Koman), apo që janë ende “enigmë” (si Sane). Hinko e nxit “Brazon” duke i thënë se Gosensi i kujton historinë e tij, boshnjakut që iku nga lufta nën vagonin e trenit për t’u bërë i rëndësishëm në Hamburg e Mynih. Edhe Gosens kaloi kalvarin e Bergamos në mes të Kovidit në qytetin më të goditur të Europës. Për më tepër, shkruan Hinko, në hotelin e Gjermanisë në Hercogenaurah, Bajerni ka dy përfaqësues të denjë si Tomas Myler dhe Leon Gorecka që ndajnë të njëjtën dhomë me lojtarin e Atalantës.
Sfidanti.al