Që të dy janë tepër të rëndësishëm, edhe pse i dyti u vu shumë në diskutim këtë sezon. Manuel Nojer dhe Tomas Myler mund të bëhen çështje tek Bajerni, pasi kontratat e tyre do të përfundojnë në 2021. Vera e vitit të ardhshëm pritet të jetë më e “nxehtë” se zakonisht në Mynih, jo vetëm për këta të dy, por Nojeri dhe Myleri “hanë bukë veç”. Në “Alianc Arena” ka një rregull të pashkruar sipas të cilit, lojtarëve mbi 30 vjeç u rinovohen kontratat vetëm me nga 1 sezon.
Vërtetë? Dhe kjo vlen edhe për këta të dy? Revista “Kiker” sjell si kundërshembull kontratat e Oliver Kahnit në 2001-in, kur ishte 31 vjeç, dhe që u zgjat deri në 2006, dhe pastaj në 2006, kur ishte 36 vjeç, u zgjat deri në 2008. Pse të mos vlejë kjo edhe për Nojerin, i cili është po aq i vlefshëm? Vetë Nojer do të rinovojë me kushte për shkak se në verë do të vijë Nybeli nga Shalke .
Po Tomas Myleri? Duket se ish-trajneri Niko Kovaç e harroi përkufizimin e Jup Hajnkesit, që thoshte se “Myleri është për Bajernin, e njëjta gjë si Marienplaci për Mynihun, pra është pjesë e pandashme”. “Nëse do ta kisha unë në dorë tek Bajerni, Tomasi nuk do të luante askund tjetër”. Hansi Flik e ka kuptuar këtë gjë, dhe besohet që Rumenige e Salihamixhiç gjithashtu do të jenë dakord.
Sfidanti.al