Lajmi i parë i mediave gjermane nuk ishte që bavarezët hodhën edhe një hap drejt titullit të 32-të rekord në Gjermani. Më shumë, gazetarët i mëshuan faktit se Robert Levandovski nuk shënoi gol, dhe se nuk ishte aspak i lumtur në fushë, duke mos u lejuar nga mbrojtësit e Arminias së Bilefeldit. “Nëse e ndalon edhe Arminia, do të thotë se Leva është në “autobus”, – shkruan një media bavareze, – pra është në rrugën e largimit”. Një tjetër media gjermane shkruante se “Levandovski është një nga lojtarët e pakënaqur me mënyrën e stërvitjes dhe me skemat e trajnerit Julian Nagelsman”. E përditshmja “Bild” si dhe “Kikeri” theksuan se pavarësisht se Bajerni fitoi 3-0 në Bilefeld, skuadra në fushë u duk anemike, pa energji dhe shpirt luftarak. Duket se eliminimi në Champions nga Vijarreali ka lënë gjurmë të thella dhe edhe rëndon mbi supet e lojtarëve. Laursen shkaktoi autogol, ndërsa Gnabri e Musiala shënuan golat e tjerë për Bajernin që ka 72 pikë në krye të Bundesligës në 30 ndeshje, ndaj 63 pikëve të Dortmundit.
Sfidanti.al