Çelsi ndeshet me Liverpulin në “Uembli” për finalen e Kupës së Anglisë!

Do të jetë e njëjta ndeshje që përcaktoi edhe fituesin e trofeut të parë të sezonit në Angli. Çelsi fitoi të drejtën për të luajtur ndaj Liverpulit në finalen e Kupës së Anglisë muajin e ardhshëm në stadiumin “Uembli” të Londrës, pas suksesit 2-0 ndaj Kristël Palasit në gjysmëfinalen e luajtur në të njëjtin impiant. Po në “Uembli”, Blutë e Londrës të trajnerit Tomas Tuhel zhvilluan në shkurt finalen e Kupës së Ligës angleze (Karabao) po ndaj Liverpulit, duke humbur vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave.

Ruben Loftus-Çik dhe Mejzën Maunt shënuan golat në pjesën e dytë, në minutat 65-të e 76-të, duke thyer rezistencën e ekipit të Vieirasë e duke fituar një derbi të Londrës që cilësohet “i vogël”, por që kishte shumë rëndësi sepse u luajt për të siguruar finalen e Kupës. Çelsi pati epërsi, dhe kjo ishte normale duke pasur parasysh diferencën në cilësi mes ekipeve. Blutë e mbajtën topin 57 për qind, gjuajtën 13 herë drejt portës ndaj 6 të Palasit dhe 5 herë në kuadrat, ndaj vetëm 2 gjuajtjeje të të besuarve të francezit Vieira.

Sfidanti.al