Bajerni ende me mungesa, Nagelsmani trembet nga Këlni!

Do të kenë përballë një nga ekipet më agresivë të Bundesligës këtë sezon, dhe të drejtuar nga një trajner trim e kompetent si Baumgart. Ish-tekniku i Paderbornit, që bëri histori në Bundesligë edhe me Klaus Gjasulën në ekip, e ka ngjitur Këlnin në lartësi ku nuk ishte parë këto vite dhe kërcënon Bajernin, ndonëse diferenca në potencial mbetet. Këlni është në vend të 6-të me 28 pikë, vetëm 2 pikë larg zonës Champions, ndërsa sezonin e kaluar ishte pranë rënies nga kategoria.

“Këlni është ekip shumë i rrezikshëm, – thotë trajneri i Bajernit, Julian Nagelsman, për sfidën e sotme në orën 15:30 në fushën e “dhive”, – ata janë shumë të fortë sidomos me harkime, dhe vlerësoj shumë lojën sulmuese. Ata bëjnë presion shumë lart dhe Këlni është një nga ekipet me më shumë lojtarë në zonën e kundërshtarit. Të rrezikshëm në kundërsulm”. Bajerni do të ketë ende probleme me lojtarët, ndonëse më pak se javën e kaluar ndaj Gladbahut. Mungesat bavareze: Çupo Moting (Kupa e Afrikës), Koman (dëmtim), Dejvis (dëmtim), Gorecka (dëmtim), Lykas Hernandez (Kovid), Sarr (Kupa e Afrikës), Stanishiç (riaftësim).

Bajerni (4-2-3-1): Nojer, Kimih, Pavar, Zyle, Zabicer, Roka, Toliso, Gnabri, Myler, Musiala, Levandovski.

Sfidanti.al